Kultura e gazetarisë në Shqipëri nuk mund të shihet e shkëputur nga kultura politike e shoqërore në vend, si dhe nga zhvillimi i mediave në Europën Lindore. Implementimi i strukturave demokratike dhe zhvillimeve në ekonomi, shoqëri dhe sistemin mediatik në këto vende u bazua fillimisht te kopjimi apo imitimi i praktikave të vendeve të Perëndimit, ose siç do të argumentonte Habermas më 1990, "revolucionet demokratike rikuperuese" në vendet e Europës Lindore karakterizohen nga një mungesë totale e ideve, nuk janë as inovative dhe as të orientuara drejt së ardhmes. Kështu edhe në Shqipëri, imitimi (jo kritik) i strukturave perëndimore u kthye në burim të vetëm gjenerimi në të gjitha fushat, por pa pasur një reflektim të brendshëm për risitë dhe të metat e modelit të imituar. Pasojat e këtij "moderimi me telekomandë" duken qartë në problemet e medias tonë me gjithë progresin e padiskutuar drejt një modeli pluralist dhe liberal. Një ndër arsyet se përse aplikimi i këtij modeli mbeti formal dhe dështoi në përmbajtje ishte edhe mungesa e një kulture të ngjashme të gazetarisë, që nuk kishte mundur të formësohej gjatë regjimit komunist, me shtyp të pazhvilluar pluralist.
Koncepti teorik i kulturave gazetareske është relativisht i ri, nëse krahasohet me moshën e vërtetë të gazetarisë dhe përmbledh praktikat gazetareske, standardet profesionale dhe aspektet etike që ekzistojnë në vende të ndryshme me kushte historike po të ndryshme. Gazetaria paraqitet si "një proces pune i individëve profesionistë" apo si "një institucion i pavarur, si një profesion dhe diskurs brenda një konteksti konkret politik, ekonomik apo kulturor". Kështu, po të përkufizojmë paradigmën e kulturës së gazetarisë sot, kjo do ta vinte theksin te identiteti i gazetarit dhe te marrëdhëniet e gazetarisë me kontekstet e tjera shoqëruese. Për të analizuar shkallën e zhvillimit mediatik dhe profesionalizmin e gazetarëve në Europën Perëndimore dhe Amerikën Veriore, autorët Hallin dhe Mancini identifikuan tri modele të sistemeve mediatike: modelin mesdhetar, pluralist dhe të polarizuar, (Italia, Spanja); modelin demokratik (korporatist) të Europës Perëndimore dhe modelin liberal të Atlantikut Verior.
Ndërsa dy modelet e fundit përmbushnin pak a shumë kriteret e një gazetarie cilësore, duke respektuar standardet universale të gazetarisë, modeli i parë paraqiste një tipologji gazetarie dhe medie, jo aq e panjohur për ne. Gazetarët sipas studimit në fjalë dalloheshin si: a) më pak profesionistë, b) të identifikuar më shumë me institucionin mediatik ku punojnë se sa me profesionin e tyre, c) gazetaria merret për zgjatim të letërsisë dhe politikës, d) lidhje e fortë e gazetarëve me elitat dhe partitë politike, e) mungesa e autonomisë së tyre, dhe ku f) shoqatat apo sindikatat e gazetarëve kanë pak ose aspak ndikim në jetën shoqërore dhe atë politike. Modeli i kulturës gazetareske apo të sistemit mediatik në një vend varej sipas tyre nga të paktën katër dimensione, si p.sh. zhvillimi i tregjeve mediatike që reflekton te tirazhi, korniza politike e marrëdhënies politikë-media, zhvillimi i gazetarisë profesionale si dhe niveli i ndërhyrjes së shtetit në sistemin mediatik.
Duke u mbështetur në etapat e procesit transformues në vendet postkomuniste, zhvillimin e sistemit mediatik në Shqipëri mund ta specifikojmë kështu:
Faza e parë, "inkubacioni" përkon me fillimet e demonopolizimit dhe decentralizimit të medias së dikurshme shtetërore. Ajo karakterizohet nga një shtyp partizan, revolucionar që operon në vakum, një model hibrid mes shtypit privat dhe atij "kooperativ", shpesh me vetë stafin si pronar (gazeta "Indipendent" si nënprodukt i stafit të gazetës "Koha Jonë", në një raport të caktuar forcash, e tillë ishte edhe vetë kjo e fundit) - ku mungonin edhe kushtet më minimale për të qenë një shtyp profesionist. Por që me gjithë mangësitë, gazetarët e kësaj faze, në botëkuptimin e tyre disi romantik, idealist, për kredon e profesionit të gazetarit i afrohen tepër modelit universal të gazetarit me frymë kritike kundrejt elitave politike dhe ekonomike. Kjo fazë e parë karakterizohet nga një marrëdhënie armiqësore mes Politikës dhe Medias. Politika që ende kërkonte modelin e vjetër, të një shtypi bindës ndaj pushtetit dhe shtypi i ri që mëtonte zhvillimin dhe ndikimin në hapësirën publike sipas modeleve të vendeve demokratike. Kësisoj, në këtë fazë ndeshemi me një kulturë gazetareske agresive dhe kundërshtare.
Në fazën e dytë, forcohet legjislacioni i mediave dhe profesionalizmi i gazetarëve, rol këtu do të luajnë trajnimet dhe edukimi i mëtejshëm i gazetarëve (dhe studentëve të gazetarisë), veçanërisht sipas modelit anglo-amerikan. Kemi lindjen e mediave të reja private elektronike, kalimin tërësisht të shtypit në duart e biznesmenëve të rinj, ose thënë ndryshe, fillesat e fenomenit të "italianizimit" të sistemit mediatik (jo vetëm të programacionit të TV) si kudo në vendet postkomuniste, "në kuptimin e filozofisë së një korporate: ku nuk ka ndryshim të madh mes menaxhimit të një partie politike, një kompanie biznesi, apo një shoqërie mediatike" sipas modelit të Berluskonit. Nga ana tjetër, në këtë fazë kemi ndërgjegjësimin e politikës për rolin e medias si aktor i rëndësishëm në hapësirën e komunikuar publike.
Karakteristikë e fazës së dytë është superimi që media i bën politikës dhe përpjekjet e kësaj të fundit për të pasur ndikim dhe rol mbi të, siç ishte rasti i debatit mbi projektligjin për median më 2001, ku politika synoi të marrë përsipër rolin e një Urdhri të Gazetarit, si rregullator i komunitetit gazetaresk. Me gjithë përplasjet, kjo fazë e dytë dallohet për një politikë bashkëvepruese mes dy aktorëve: medias dhe politikës, një periudhë afrimi dhe flirtimi që zgjati pak kohë, 1998-2002.
Në fazën e tretë përsoset më tej korniza ligjore dhe zhvillimi teknologjik i medias, si dhe rritet numri i kompanive mediatike, por njëkohësisht dobësohet roli i medias. Studimet në këtë fushë evidentojnë si efekt kryesor, ndikimin e pronësisë mbi politikën editoriale dhe stafin e gazetarëve që sjell mungesë pavarësie në ushtrimin cilësor të profesionit (si p.sh. mungesa e kontratave të punës, ku deri në vitin 2005, 95% e gazetarëve në vend punonin pa kontrata dhe sigurime shoqërore). Me këtë status të pazgjidhur, gazetaria nuk mund të bëhet cilësore, e besueshme dhe as nuk mund të ushtrojë funksionin e saj kontrollues ndaj aktorëve të ekonomisë dhe politikës. Ndryshe nga Hallin dhe Mancini që argumentojnë se sistemi politik ndikon më shumë se tiparet e tjera në perceptimin e gazetarëve brenda një sistemi mediatik, në Shqipëri faktori ndikues mbeten pronarët e medias, interesat e tyre ekonomike dhe politike. Ky model vazhdon të mbetet aktual. Dominimi (sado i lehtë) i medias mbi politikën në fazën e dytë, shndërrohet tashmë në kah të kundërt: Politika (përmes pronarëve të medias) dominon median!
Kështu, po t'i kthehemi sërish modelit të polarizuar dhe ta krahasojmë atë me sistemin mediatik shqiptar, bien në sy disa pikëtakime: përputhja e tirazheve të ulëta, ku një përqindje e vogël e popullsisë ka akses në organet e shtypit, mungesa e profesionalizmit të gazetarëve, ndërhyrja e shtetit me anë të formave të ndryshme, strukturat e dobëta në mbrojtje të gazetarëve e të tjera aspekte që reflektojnë një demokratizim të papërmbushur. Me gjithë ngjashmëritë, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes se "cilësia" e këtyre mangësive është e ndryshme: Panorama mediatike në Shqipëri është shumë më pak pluraliste dhe e padiferencuar se në Itali p.sh. Ky model, rasti italian ose "italianizmi" më tepër, gati u kopjua me shumë zell nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, ku as Shqipëria nuk bën dallim. "Italianizimi" si koncept për të shpjeguar fenomenin e një gazetarie të opinionit dhe me theks të lartë politik, ku mediat janë të përqendruara në duart e pak pronarëve që duan t'i përdorin ato për qëllime komerciale, ekonomike dhe politike, duke bërë që politizimi të ecë përkrah komercializimit. "Italianizimi" jashtë strukturave organizative mediatike u imitua në Shqipëri kryesisht në modelet televizive, ndërsa shtypi i shkruar vazhdoi të ruajë një balancë mes modelit italian dhe atij anglosakson. Tendenca e medias për të imituar modele perëndimore, "italianizimin" apo "amerikanizimin" nuk është veçse prirje për t'iu afruar një modeli global, një kulture dominuese të gazetarisë. Nëse me këtë kulturë do të nënkuptonim ato vlera dhe ideale të gazetarit bazuar te objektiviteti, ndarja e faktit nga komenti dhe te roli i gazetarit si një vëzhgues i distancuar, atëherë kultura dominuese do të ishte modeli amerikan (anglo-amerikan) i gazetarisë. Por nga kjo, kultura e gazetarisë shqiptare ka imituar formën vetëm, prioriteti qëndron te kënaqja e tregut dhe e nevojave komerciale të pronarëve, në vend të shërbimit ndaj publikut. Nga kjo tablo të krijohet përshtypja se "kultura dominuese e gazetarisë" në Shqipëri ka trajtën e një modeli hibrid: me tipare nga media e polarizuar edhe nga ajo komerciale (tabloide) anglosaksone. Ky model hibrid është ende larg gazetarisë cilësore dhe karakterizohet nga: ekzistenca e ideologjizimit, si mbetje e ndërgjegjshme ose jo, nga koha e komunizmit; imitimi sipërfaqësor i formateve dhe modeleve perëndimore pa i përshtatur vërtet ato, ekzistenca e një fryme konfliktuale dhe emocionale në raportimin mbi çështje të ndryshme politike dhe sociale; orientimi lokal, si aspekt tipik i kulturave territoriale (që sjell ngushtim të tematikave me raportimin vetëm brenda kufijve kulturorë), mosklasifikimi i qartë i mediave cilësore nga ato jocilësore, si dhe nga një mbështetje e fortë e strukturave politike dhe gatishmëri e theksuar për të bashkëvepruar me partitë politike në periudha zgjedhore. Por, nga krahasimi me studime të ngjashme mbi kulturën e gazetarisë në vendet e Europës Lindore, vëren se këto tipare janë gati universale edhe për sistemet e tyre mediatike, ngjashmëri që i gjejmë edhe në sistemin politik.
Kush është pra, specifika e kulturës së gazetarisë shqiptare? Kriza e identifikimit të gazetarëve me kredon dhe profesionin e gazetarit si një institucion i pavarur, si dhe me rolin e funksionin në shoqëri, është një tipar dallues i kulturës së gazetarisë shqiptare. Meqë vetëpërkufizimi i gazetarëve lidhet ngushtë me kontekstin kombëtar të një vendi, është i kuptueshëm fakti se mungesa e një tradite të mirëfilltë të gazetarisë cilësore dhe e një mendësie të orientuar drejt vlerave të pranuara si universale të gazetarisë ndikon që parime elementare si objektiviteti apo paanshmëria, të merren jo si vlera konstante, por të ndryshueshme. Nga ana tjetër, teoria normative e manualeve të gazetarisë bie ndesh me paradigmën globale sot, ku gazetaria europiane dhe ajo amerikane, sado cilësore, po orientohen përherë e më shumë drejt atyre lajmeve apo informacioneve që duhet të mbështeten mbi fakte, por të jenë njëkohësisht sa interesante, aq edhe të shitshme.
Në këtë udhëkryq të vlerave, gazetari shqiptar i largohet identifikimit me profesionin e tij, (që kudo ndodhet në një lloj "krize identiteti") duke u lidhur përherë e më shumë pas pronarit të mediumit ku punon, i cili në sytë e tij paraqet një shtyllë të qëndrueshme për karrierën e tij. Për ta ruajtur këtë gjendje, vetëkontrolli, si kusht i domosdoshëm për gazetarin vëzhgues, kthehet ngadalë në një vetëcensurë, në emër të së cilës, opinionet përzihen me lajmet dhe angazhimi profesional ngatërrohet shpesh me atë politik; PR-i politik merret dhe aprovohet pa kurrfarë verifikimi dhe kritike, duke i kthyer gazetarët në zëdhënës të partive politike; raportimi bëhet i njëanshëm, si në rastin e zgjedhjeve të fundit qershor 2009. Detyrimisht edhe ndërhyrja e politikës apo e biznesit në kredon e profesionit merret e mirëqenë. Për ta ilustruar me thënien e një aktori në media: "Gazetari që u nënshtrohet politikave të gazetës nis të mbajë përbrenda dhe t'i duken të natyrshme presionet, të cilave u nënshtrohet, duke zhvilluar atë që quhet "vetëcensurë", ose ndryshe, procesi me anë të të cilit, gazetarët marrin me mend atë që pronari i medias dëshiron të dëgjojë..."
Për të bërë një analogji: Nëse thembra e Akilit për politikën shqiptare këto njëzet vjet ka qenë kontestimi i përhershëm i zgjedhjeve, për sistemin mediatik duket është vetëcensura, që ka një traditë të gjatë në gjithë etapat e zhvillimit historik dhe ushtrimit të gazetarisë në Shqipëri.
Panorama
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen